
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, tha se ka ardhur koha për një hap strategjik të Bashkimit Europian ndaj Ballkanit Perëndimor. Në Forumin Ballkanik për Integrim, në Mal të Zi, ajo theksoi se pas një procesi të gjatë të afrimit me BE-në, gjeografia dhe historia e përbashkët kërkojnë hapjen e dyerve për anëtarësim.
Ajo kërkoi që procesi të mbetet i besueshëm, vetëm mbi kriteret e Kopenhagës, dhe paralajmëroi se standardet e dyfishta po e dëmtojnë rrugën europiane të rajonit. Sipas saj, anëtarësimi në BE është mënyra më e mirë për t’i bërë vendet ballkanike më të qëndrueshme ndaj ndikimeve të treta.
Siljanovska-Davkova tha se Shkupi ka përmbushur harmonizimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, dhe meriton një nxitje të qartë për hapjen e negociatave.