
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, u takua dje në Tiranë me Komisionerin Europian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, ku rikonfirmoi se Shqipëria po ecën me hapa të qëndrueshëm drejt përmbushjes së Kapitullit 24.
Koçiu tha se vendi po avancon në reformat e sigurisë dhe të menaxhimit të migracionit, duke përmendur kuadrin e ri strategjik, forcimin e ligjit kundër krimit të organizuar dhe funksionimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve.
Ajo theksoi se hetimet dhe operacionet kundër trafikimit, pastrimit të parave dhe grupeve kriminale janë rritur ndjeshëm, në bashkëpunim me Europol, Frontex dhe Interpol.
Sipas të dhënave të fundit, flukset e migracionit të parregullt kanë rënë, çka u vlerësua si rezultat i kontrolleve dhe bashkëpunimit të shtuar.
Ministrja Koçiu garantoi se Shqipëria mbetet partner i besueshëm për sigurinë dhe stabilitetin europian.