
Kuvendi zhvillon sot një seancë të gjatë plenare, e cila nis me mocionin e opozitës për gjetjet e OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit. Debati pritet të jetë i tensionuar, pasi opozita e konsideron raportin provë të manipulimit dhe mosnjohjes së procesit.
Rendi i ditës është i mbingarkuar: dy interpelanca – me ministrin Blendi Gonxhja dhe me kryeministrin Edi Rama – si dhe një paketë e gjerë projektligjesh fiskale, nga ndryshimet në tatime e TVSH deri te faturimi elektronik dhe marrëveshja e paqes fiskale.
Deputetët do të votojnë edhe buxhetin 2026, një tjetër pikë që zakonisht ndez përplasjet mazhorancë–opozitë. Në axhendë janë edhe ligji për koncesionet/PPP, ndryshimet klimatike, regjistrimi i OJF-ve dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, që kërkon shumicë të cilësuar. Seanca pritet të zgjasë deri në mbrëmje.