
Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, ka deklaruar para hetuesve se disa takime që ka zhvilluar me shtetasin Ergys Agasi kanë qenë me karakter privat dhe jo të lidhura me favorizime në procedurat e tenderimit. Ajo ka mohuar çdo ndërhyrje në mbështetje të Agasit apo të shtetasit tjetër Ermal Beqiri.
Karçanaj ka thënë se nuk mban marrëdhënie sociale me operatorë ekonomikë dhe se takimet janë zhvilluar në zyrën e Agasit për çështje konsulence. Sipas saj, në një prej takimeve ka qenë i pranishëm edhe Beqiri, të cilin e ka cilësuar si rastësor.
Në deklarim, ajo ka këmbëngulur se nuk ka favorizuar askënd në tendera, ndërsa hetimet po verifikojnë rolin dhe kontekstin e këtyre takimeve.