
Nga Zenel Çeliku

Të gjithë e kemi të qartë se Qeveria Kurti e ka “vetëizoluar” Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kokëfortësia e Kurtit dhe e pasuesve të tij bëri që SHBA-ja dhe BE-ja ta sanksionojnë Kosovën, pasi ai (Kurti) nuk pranonte sugjerimet e partnerëve, veçanërisht ato të Amerikës, pa të cilën sot Kosova nuk do të ishte shtet i pavarur. Kjo periudhë e ka dëmtuar Kosovën në rrugën e integrimit në strukturat euro-atlantike.
Vërejmë se Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi sërish në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Kështu, Kurti, së bashku me subjekte të tjera politike, është shumë afër sigurimit të 61 mandateve për formimin e qeverisë. Tani pyetja është mjaft aktuale dhe përgjigjja nuk është e thjeshtë, po ose jo, por varet kryesisht nga mënyra se si do të qeverisë Kurti.
Kosova zyrtarisht është dhe mbetet e orientuar drejt SHBA-së dhe BE-së, por marrëdhëniet me Albin Kurtin kanë qenë më të ftohta dhe më të ndërlikuara krahasuar me disa qeveri të mëparshme. Natyrshëm lind pyetja: pse marrëdhëniet janë më të vështira me Albin Kurtin?
Nëse i referohemi qasjes së tij ndaj Serbisë, Kurti ka qenë më i ashpër dhe më pak i gatshëm për kompromis në dialogun e shpejtë, gjë që shpesh nuk përputhej me pritjet e SHBA-së dhe BE-së. Vlen të përmenden vendimet e njëanshme në veri (si çështja e targave, komunave, etj.), të cilat kanë shkaktuar kritika nga aleatët perëndimorë dhe nuk kanë qenë në interes të perspektivës së Kosovës. Refuzimi për të zbatuar disa kërkesa të drejtpërdrejta nga SHBA-ja dhe BE-ja ka krijuar tensione mes partnerëve.
Edhe pse ndaj Albin Kurtit ka kritika të forta, duhet theksuar se ai nuk është anti-SHBA dhe as anti-BE. Kurti vazhdimisht deklaron se orientimi perëndimor i Kosovës është i palëkundur drejt partnerëve strategjikë. Ashtu si shumë analistë, edhe unë gjykoj se SHBA-ja dhe BE-ja nuk e kanë braktisur Kosovën. Bashkëpunimi vazhdon në fushën e sigurisë territoriale, ekonomisë dhe në institucionet më të rëndësishme publike. Me fjalë të tjera, presioni ndërkombëtar ndaj Qeverisë Kurti dhe ndaj Kurtit personalisht ka synuar koordinim më të madh mes Kosovës, SHBA-së dhe BE-së, e jo shkëputje.
Tashmë Kurti, me subjekte të tjera politike në Kuvend, mund të krijojë koalicion qeverisës dhe e ka më të lehtë të sigurojë 61 mandate. Kështu lind pyetja: sa afër apo larg do të jetë Kosova me SHBA-në dhe BE-në? Çfarë mund të ndodhë me Kurtin kryeministër?
Besoj se, nëse Kurti tregon më shumë fleksibilitet diplomatik, marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në mund të përmirësohen. Nëse ai vazhdon me linja të forta qeverisëse pa koordinim me partnerët strategjikë, veçanërisht me Amerikën, tensionet do të mbeten dhe mund të agravohen, edhe pse aleanca strategjike nuk do të prishet. Për Kosovën nuk ka alternativë tjetër: pavarësisht mënyrës së qeverisjes së Kurtit, Kosova do të mbetet e orientuar drejt SHBA-së dhe BE-së. Besoj se Qeveria Kurti do të bashkëpunojë me SHBA-në dhe BE-në jo vetëm në mënyrë parimore, por edhe diplomatike.
Në opinion shpesh diskutohet se si e shohin SHBA-të konkretisht Albin Kurtin. Mendoj se SHBA-ja e vlerëson Kurtin si politikan jo të korruptuar, relativisht serioz në sundimin e ligjit dhe më të pavarur, por edhe më konfliktual. Ai nuk është anti-amerikan, pasi nuk e konteston aleancën strategjike me SHBA-në, por nuk pranon verbërisht këshillat e saj. Gjykoj se Amerika, si partner historik dhe jetik i Kosovës, e sheh Kurtin si kokëfortë dhe të vështirë për kompromis, si dhe jo gjithmonë të koordinuar me SHBA-në para marrjes së vendimeve në dialogun me Serbinë. Për SHBA-në, Kurti është partner i besueshëm në parim, por problematik në praktikë.
Po të bëjmë një krahasim mes qeverive të kaluara në Kosovë dhe qeverisë Kurti, vërejmë dallime të qarta. Qeveritë e mëparshme (Thaçi, Mustafa, Hoti, Haradinaj) kanë qenë shumë më të afërta me SHBA-në dhe BE-në; vendimet kryesore shpesh merreshin në koordinim të plotë me partnerët perëndimorë, veçanërisht me Amerikën. Këto qeveri kishin tolerancë më të madhe ndaj kompromisit me Serbinë. Si rrjedhojë, Kosova me këto qeveri ka pasur më shumë fleksibilitet diplomatik dhe, për këtë arsye, edhe më shumë mbështetje nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Dua të theksoj se, nëse Kurti përmirëson komunikimin dhe koordinimin me SHBA-në dhe BE-në, nëse ruan parimet por përdor më shumë diplomaci dhe nëse forcon shtetin, ai mund të fitojë më shumë respekt afatgjatë dhe ta avancojë Kosovën drejt integrimeve euro-atlantike.
Por, nëse Albin Kurti vazhdon me linja të forta pa kompromis dhe me vendime të marra pa dakordim me aleatët strategjikë, gjykoj se Kosova rrezikon izolim diplomatik të pjesshëm, presion ekonomik dhe politik, ngadalësim të njohjeve dhe pengesë serioze në integrimin euro-atlantik. Theksoj sërish se SHBA-ja nuk e kundërshton Kurtin si person, por nuk është e kënaqur me stilin e tij të qeverisjes. Sot dhe në të ardhmen, e ardhmja e Kosovës varet nga balanca mes sovranitetit, diplomacisë dhe bashkërendimit të hapave politikë me SHBA-në dhe BE-në.
Së fundi, pavarësisht këtyre zhvillimeve, Qeveria Kurti rrezikon të jetë afatshkurtër, pasi në prill 2026 përfundon mandati i presidentes Osmani, e cila ka deklaruar se do të kandidojë sërish për një mandat tjetër. Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e presidentit kërkon dakordim dhe votimin e 80 deputetëve. Gjykoj se kjo dakordësi do të jetë e vështirë të arrihet, ndaj Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme. Në këtë situatë, Kosova mund ta shmangë këtë rrezik vetëm nëse SHBA-ja dhe BE-ja ndërhyjnë fuqishëm diplomatikisht.
Të gjithë e kemi të qartë se Kosova nuk e ka luksin të humbasë kohë në këto labirinte politike. Le të shpresojmë se Kosova do të ecë përpara, por kjo mund të ndodhë vetëm me ndihmën dhe mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.