
Opozita shqiptare zhvilloi mbrëmë një tjetër protestë antiqeveritare në Tiranë. Tubimi, i thirrur nga Partia Demokratike, u mbajt para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, akuzoi qeverinë për korrupsion dhe manipulim zgjedhor, duke deklaruar se “nuk ka sovranitet në një vend ku zgjedhjet kthehen në farsë”. Ai tha se opozita do të vijojë protestat deri në fitoren politike.
Në protestë folën edhe deputetë dhe mbështetës të opozitës. Policia angazhoi forca shtesë dhe bllokoi përkohësisht disa akse rrugore. Nuk u raportuan incidente apo tensione.
PD-ja ka paralajmëruar protesta të tjera në javët në vijim, duke thënë se opozitës i është mohuar fjala në Parlament dhe se protestat janë reagim ndaj korrupsionit të zyrtarëve të lartë.