
Situata në Qarkun Lezhë është përkeqësuar ndjeshëm pas reshjeve intensive të shiut dhe dëborës, duke sjellë përmbytje, bllokime rrugësh dhe evakuime familjesh.
Në bashkinë Kurbin, çarja e argjinaturës së lumit Droj ka shkaktuar rritje të shpejtë të nivelit të ujit në zonën e Adriatikut, njësia administrative Mamurras. Disa familje kanë kërkuar të largohen nga banesat, ndërsa një familje pranë hidrovorit të Drojës në Fushë Mamurras është evakuuar që në orët e para të mëngjesit.
Banesa të rrethuara nga uji raportohen edhe pranë rrugës Laç–Mamurras, në lagjen Sanxhak dhe në fshatin Gjorm, ku një segment rrugor rreth 200–300 metra është bërë i pakalueshëm.
Ndërkohë, në det, një anije cisternë me flamur Tanzanie ka ngecur në afërsi të fshatit Tale. Sipas Kapitenerisë së Portit Shëngjin, anija M/V “BESART” ka hasur vështirësi në lëvizje dhe po monitorohet nga autoritetet.
Hidrovorët e Drojës dhe Shëllinzës po punojnë në kapacitete kritike për shkak të prurjeve të larta, ndërsa sipërfaqe të mëdha toke bujqësore në Adriatik, Fushë Mamurras dhe Fushë Kuqe janë përmbytur. Situata mbetet në monitorim dhe pritet të evoluojë gjatë orëve në vijim.