
Një aksident zinxhir me dhjetëra automjete ka ndodhur disa ditë më parë në Rrugën e Kombit, si pasojë e akullit në asfalt, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mirëmbajtjen e këtij aksi strategjik.
Mirëmbajtja e rrugës i është dhënë me kontratë kompanisë Albanian Highway, e cila është në pronësi të Kastrati Group dhe Salillari. Çdo drejtues mjeti paguan tarifë nga 5 deri në 22.5 euro për kalimin në këtë rrugë, me premtimin se koncesionari garanton kushte optimale qarkullimi.
Por situata e sotme në terren tregoi të kundërtën. Segmentet e rrugës ishin të mbuluara nga akulli, pa ndërhyrje të dukshme për pastrim apo kriposje, duke e bërë qarkullimin të rrezikshëm.
Aksidentet e regjistruara vënë në dyshim përmbushjen e detyrimeve kontraktuale për mirëmbajtje dimërore dhe siguri rrugore. Për një rrugë ku qytetarët paguajnë çdo ditë, mungesa e kushteve bazë të sigurisë shihet si dështim i rëndë i shërbimit.