
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha se nga amnistia penale do të përfitojnë rreth 1.290 persona të dënuar për vepra të lehta.
Sipas tij, rreth 900 të dënuar do të kenë ulje dënimi, ndërsa mbi 300 të tjerë do të lirohen pasi dënimi u konsiderohet i shlyer. Përfitime ka edhe për të paraburgosur, të cilëve do t’u shuhet ndjekja penale për shkak të natyrës së veprës.
Lamallari theksoi se amnistia synon të korrigjojë përdorimin e lartë të paraburgimit dhe raste kur vendimi përfundimtar rezulton më i lehtë se koha e kaluar në paraburgim.
Ministri njoftoi gjithashtu se ndryshimet e fundit në Kodin Penal përfshijnë masa për mbrojtjen e gazetarëve: dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët gjatë raportimit dhe ashpërsimin e ndëshkimeve për kanosjen ndaj tyre.