
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, dënoi sulmin e fundit masiv të Rusisë ndaj Ukrainës, i kryer me dronë dhe raketa balistike, duke e cilësuar atë si një akt brutal kundër civilëve dhe infrastrukturës kritike.
Në një reagim publik, Spiropali tha se Shqipëria i dënon hapur këto sulme dhe shprehu solidaritet me viktimat dhe qytetarët e prekur, veçanërisht ata që kanë mbetur pa energji dhe ngrohje në kushtet e dimrit.
Ajo njoftoi se këtë javë do të vizitojë Kievin, për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Spiropali theksoi se sulme të tilla kërkojnë një reagim të përbashkët dhe të vendosur ndërkombëtar dhe se nuk duhet të ketë lodhje apo hezitim derisa agresioni të marrë fund.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet ukrainase, sulmi përfshiu rreth 300 dronë, 18 raketa balistike dhe 7 raketa lundruese, duke goditur qëllimisht zona civile dhe infrastrukturë energjetike.