
Opozita zhvilloi të shtunën protestën e radhës kombëtare në Tiranë, e shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Tubimi i organizuar nga Partia Demokratike nisi para Kryeministrisë me kërkesë për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe miratimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e pezulluar nga gjykata.
Protestuesit marshuan drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku u hodhën molotovë dhe policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë. U raportuan zjarre në kosha mbeturinash.
Marshimi vijoi drejt Kuvendit dhe më pas në zona të tjera të kryeqytetit, përfshirë pranë vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, ku u hodhën molotovë.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, e quajti protestën “kryengritje paqësore” dhe paralajmëroi vijimin e tubimeve.