
Aplikimet e shqiptarëve për azil në Bashkimin Evropian kanë shënuar rënie të ndjeshme në vitet e fundit.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2025 u regjistruan rreth 5 mijë kërkesa, me një tkurrje prej 30 për qind krahasuar me një vit më parë.
Në raport me vitin 2022, kur u shënua kulmi i aplikimeve, numri i tyre është tashmë gati tre herë më i ulët, ndërsa Franca dhe Gjermania mbeten destinacionet kryesore.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se emigracioni nuk është ndalur, por ka ndryshuar formë, me një rritje të ndjeshme të lejeve të punës.
Gjatë viteve të fundit janë dhënë mesatarisht rreth 20 mijë leje pune në vit, kryesisht në Itali, Greqi dhe Gjermani, shumë më tepër se një dekadë më parë.
Në të njëjtën kohë, statistikat tregojnë se largimet nga vendi mbeten të larta, sidomos pas pandemisë.
Pjesa më e madhe e emigrantëve janë të rinj nën moshën 35 vjeç, përfshirë edhe familje të reja me fëmijë.
Të dhënat sugjerojnë se emigracioni po zhvendoset drejt formave më të rregullta, ndërsa prirja mbetet në rritje.