
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka mbështetur kërkesën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për të dhënë provimet në gjuhën shqipe.
Në një reagim publik, ai tha se përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta dhe ligji për përdorimin e gjuhëve. Sipas tij, kjo e drejtë nuk duhet të pengohet nga procedurat administrative.
Hoxha theksoi se, nëse ka paqartësi apo boshllëqe në procedura, institucionet duhet të gjejnë zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme.
Ai bëri thirrje që çështja të trajtohet me maturi dhe pa politizim, duke respektuar plotësisht të drejtat e studentëve.
Ministri vlerësoi edhe protestën, duke thënë se studentët kanë vepruar në mënyrë demokratike dhe meritojnë një përgjigje serioze, përmes dialogut.