
Nga sot, qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt zonës Shengen do të përballen me kontrolle të reja elektronike në kufi.
Bashkimi Evropian ka vënë në funksion të plotë sistemin EES, që zëvendëson vulosjen e pasaportave me regjistrim elektronik të hyrjeve dhe daljeve.
Në hyrjen e parë, udhëtarëve do t’u merren të dhënat e pasaportës, fotografia dhe gjurmët e gishtërinjve. Refuzimi i këtyre të dhënave do të thotë ndalim hyrjeje.
Rregulli i qëndrimit nuk ndryshon: deri në 90 ditë brenda 180 ditëve.
Autoritetet paralajmërojnë vonesa në pikat kufitare në fazën e parë dhe u kërkojnë qytetarëve të paraqiten më herët për udhëtim.
Regjistrimi bëhet në kufi dhe nuk kërkohet aplikim paraprak.