Rreth 30 banesa u prekën, ndërsa 11 persona përfunduan në spital.

Një zjarr i madh përfshiu një pallat 12-katësh pranë zonës së njohur si “Farmacia 10” në Tiranë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Sipas të dhënave paraprake, rreth 30 apartamente u prekën nga flakët, të cilat dyshohet se nisën në katin e parë të një biznesi.
Zjarri përfshiu fasadën dhe u përhap me shpejtësi, ndërsa materiali i jashtëm i ndërtesës mund të ketë ndikuar në përhapjen e tij.
Si pasojë, 11 persona u dërguan në spital.
Në vendngjarje ndërhynë mbi 50 zjarrfikës, të mbështetur nga emergjencat civile dhe ushtria. Në operacion u përdorën edhe dy helikopterë Cougar.
Autoritetet thanë se zjarri është vënë nën kontroll, por puna vijon për shuarjen e vatrave të mbetura.
Shkaqet e zjarrit nuk janë përcaktuar ende dhe hetimet vazhdojnë.