
Kryeministri Edi Rama pritet të takohet me homologun grek Kyriakos Mitsotakis në kuadër të Forumit Ekonomik të Delphit, që nisi sot dhe zgjat deri më 25 prill.
Takimi, i planifikuar në orën 11:00 dhe me kohëzgjatje rreth 40 minuta, do të fokusohet në marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe avancimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Në diskutim pritet të jetë edhe çështja e kufirit detar, një nga temat e mbetura pezull mes Tiranës dhe Athinës.
Rama do të zhvillojë gjithashtu takime të tjera dypalëshe dhe do të marrë pjesë në një panel për transformimin e ekonomive të Europës Juglindore.
Në kuadër të forumit pritet edhe nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi mes Korporatës Shqiptare të Investimeve dhe një kompanie greke të menaxhimit të aseteve shtetërore.
Forumi mbledh liderë politikë dhe ekonomikë për të diskutuar krizën globale, luftën në Ukrainë, sigurinë energjetike dhe zhvillimet teknologjike.
Kryeministri shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, e cila do të mbajë një fjalim në forum si përfaqësuese e shoqërisë civile.