
36 studentë të Akademisë së Policisë janë paraqitur në shërbimin infektiv me simptoma helmimi, pas dyshimeve se kanë konsumuar ushqim të kontaminuar në Akademinë e Sigurisë në Tiranë.
Studentët kanë shfaqur të vjella dhe dhimbje të forta barku pas konsumimit të drekës në ambientet e Akademisë.
Ata kanë marrë ndihmë mjekësore dhe serume në spital. Dy prej tyre janë mbajtur të shtruar, ndërsa të tjerët janë larguar pas trajtimit.
Pas rastit, janë marrë mostra ushqimi për analiza laboratorike. Instituti i Shëndetit Publik dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë nisur hetimin epidemiologjik.
Policia e Tiranës ka arrestuar teknologun dhe kuzhinierin e kompanisë së kateringut që furnizonte studentët me ushqim. Administratorja e kompanisë është shpallur në kërkim.