
Qytetarë të shumtë marshuan në Durrës për dy fëmijët, 10 dhe 12 vjeç, që humbën jetën pasi u përplasën nga një makinë teksa luanin në trotuar.
Marshimi u zhvillua të mërkurën, më 6 maj, dhe u mbyll para Bashkisë së Durrësit, ku qytetarët kërkuan drejtësi dhe masa më të forta për sigurinë rrugore.
Në protestë morën pjesë familjarë të viktimave, banorë të zonës dhe bashkëmoshatarë të fëmijëve. Disa prej tyre mbanin pankarta me mesazhin: “Nuk ishin numra, ishin fëmijë.”
Aksidenti ndodhi mesditën e 3 majit në lagjen nr. 15 të Durrësit. Tre fëmijë po luanin me top në trotuar, kur u përplasën nga një makinë që, sipas policisë, lëvizte me shpejtësi të lartë.
Dy fëmijë humbën jetën, ndërsa një 8-vjeçar mbeti i plagosur rëndë. Ai e ka kaluar rrezikun për jetën dhe po trajtohet në terapi intensive.
Gjykata ka lënë në burg shoferin 57-vjeçar të dyshuar për aksidentin. Policia thotë se ai kishte shkelje të mëparshme për shpejtësi dhe parakalim të gabuar.