
Sali Berisha është përballur me pyetje nga anëtarë të Partisë Demokratike për mungesën e një gare reale në zgjedhjet për kryetarin e partisë.
Gjatë një takimi në Njësinë Administrative nr. 5 në Tiranë, një anëtare e PD-së e pyeti Berishën pse askush nga drejtuesit e partisë nuk po konkurron kundër tij.
Ajo tha se gara është e nevojshme për forcimin e partisë dhe ngriti pyetjen nëse PD ka prodhuar figura të tjera drejtuese gjatë viteve të fundit.
“Gara të rrit, të zbukuron. PD në gjithë këto vite nuk ka liderë, s’ka prodhuar liderë të tjerë që të konkurrojnë me ju?”, i tha ajo Berishës.
Berisha u përgjigj se zgjedhja e kryetarit nga anëtarësia është një procedurë demokratike, por pranoi se në shumë raste gara të tilla zhvillohen pa kandidatë rivalë.
Ai tha se drejtuesit politikë shpesh nuk hyjnë në garë, sepse nuk duan të provohen nëse nuk janë të sigurt për rezultatin.
Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike pritet të mbahen më 23 maj.
Sipas materialit të publikuar, pesë demokratë nuk janë lejuar të kandidojnë kundër Berishës: Evi Kokalari, Ervin Salianji, Alesia Balliu, Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj.