
Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ku pritet të zhvillohen disa interpelanca me kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të qeverisë.
Deputetë të Partisë Demokratike kanë kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Rama. Një tjetër interpelancë me të është kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
Në rend dite është edhe një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, e kërkuar nga deputetë të PD-së.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, pritet të përballet me dy interpelanca të kërkuara nga Erisa Xhixho dhe Saimir Korreshi. Deputeti Erald Kapri ka kërkuar edhe një seancë pyetje-përgjigje me të.
Dy interpelanca do të mbahen edhe me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputeti Erion Braçe.
Deputetja Ina Zhupa ka kërkuar interpelancë me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, ndërsa Agron Shehaj dhe Erald Kapri kanë kërkuar interpelancë me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin për ratifikimin e kontratës financiare për projektin “Porta e Alpeve”.
Në rend dite janë edhe ndryshime në ligjin për infrastrukturën kombëtare të informacionit gjeohapësinor, ndryshime në ligjin për burimet ujore dhe një projektvendim për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.