
Komisioni Evropian ka miratuar edhe 49 milionë euro për Shqipërinë nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke e çuar në 212.8 milionë euro shumën e disbursuar deri tani për vendin.
Sipas vendimit, 22.8 milionë euro do të kalojnë në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Fondet janë të lidhura me zbatimin e reformave. Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht hapat e Shqipërisë për mbështetjen e biznesit, investimeve dhe inovacionit, si edhe për zgjerimin e aksesit në financim.
Plani i Rritjes parashikon deri në vitin 2027 një mbështetje prej 922 milionë eurosh për Shqipërinë, përveç fondeve që jepen përmes instrumentit të paraanëtarësimit.
Në këtë raund, Komisioni Evropian ka miratuar gjithashtu 44.2 milionë euro për Malin e Zi dhe 65.7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor synon afrimin e vendeve të rajonit me tregun e përbashkët të BE-së, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe përshpejtimin e reformave që lidhen me procesin e anëtarësimit.