
Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, viziton sot Tiranën, ku pritet të diskutohet edhe rifillimi i procesit për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Sipas mediave greke, Dendias do të zhvillojë takime me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe kryeministrin Edi Rama.
Vizita synon të rikthejë në vëmendje marrëveshjen politike të vitit 2020, kur Shqipëria dhe Greqia ranë dakord që çështjen e kufirit detar ta çonin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Takimet zhvillohen në një moment kur Shqipëria po përpiqet të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në Tiranë pritet të mbahet edhe forumi i biznesit Shqipëri-Greqi.
Kontaktet mes dy vendeve pritet të vijojnë në qershor, kur ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, planifikon të vizitojë Tiranën për një konferencë mbi Ukrainën dhe sigurinë në Evropën Juglindore.