
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, tha se lufta kundër krimit të organizuar duhet të godasë pasurinë e grupeve kriminale, jo vetëm autorët e veprave penale.
Në konferencën “Nga Konfiskimi tek e Mira Publike”, Lamallari tha se krimi i organizuar krijon fuqi ekonomike, korrupton institucione dhe dëmton besimin e qytetarëve te shteti.
Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 61 milionë euro.
Lamallari tha se rezultatet vijnë nga bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit, SPAK-ut, hetimit financiar dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Ai theksoi se sfida kryesore është përdorimi i pasurive të konfiskuara për të mirën publike.
Sipas ministrit, asetet e sekuestruara nuk duhet të lihen të degradojnë, por të kthehen në investime për qytetarët, institucione publike, shkolla, spitale dhe qendra komunitare.
Lamallari tha gjithashtu se kripto-asetet, transfertat ndërkufitare dhe format e reja të pastrimit të parave kërkojnë hetim financiar më të fortë dhe bashkëpunim ndërkombëtar.