
Policia e Shtetit u ka hequr licencën dy kompanive private të sigurisë pas dhunës së regjistruar gjatë protestës së 30 majit në Portonovë, Zvërnec.
Vendimi prek kompanitë “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”.
Sipas Policisë, “Myrto Security 1.3A” nuk kontrolloi hyrjen e personave në zonën e rrethuar. Për pasojë, persona të paidentifikuar hynë brenda dhe u përfshinë në dhunë ndaj protestuesve.
Policia thotë se ata goditën dhe tërhoqën me forcë një protestues, si edhe reaguan me sende të forta ndaj qytetarëve.
Punonjësit e kompanisë nuk ndërhynë për t’i ndaluar apo larguar.
Në rastin e “Major Security”, Policia thotë se një punonjës i licencuar, bashkë me dy persona të paautorizuar, goditi me grusht një protestues dhe e tërhoqi me forcë brenda rrethimit.
Dy personat e tjerë nuk rezultonin të regjistruar apo të licencuar nga kompania.
Në përfundim të hetimit administrativ, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë vendosi heqjen e licencës për të dy subjektet.
Protesta e 30 majit u zhvillua kundër një projekti në bregdetin e Zvërnecit.
Hetimet penale dhe administrative vijojnë.