
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për projektin në Zvërnec, duke publikuar pamje nga zona dhe duke thënë se investimi prej 4 miliardë eurosh do ta kthejë Vlorën në një destinacion të madh turistik.
Në një postim në Facebook, Rama tha se kundërshtimet ndaj projektit janë të nxitura nga frika dhe dezinformimi.
Ai publikoi edhe një mesazh që, sipas tij, i është dërguar nga një qytetar nga Vlora, i cili mbështet projektin dhe kritikon gjendjen aktuale të zonës.
Në mesazh thuhet se zona është e ndotur dhe se investimi do ta zhvillojë, jo dëmtojë, bregdetin e Zvërnecit.
Rama përsëriti se projekti nuk prek zonën e mbrojtur dhe se synon ta vendosë Shqipërinë në një nivel më të lartë të turizmit mesdhetar.
Reagimi vjen pas natës së katërt të protestave para Kryeministrisë kundër projektit në Zvërnec.
Protestat nisën pas kundërshtimit të projektit nga banorë dhe aktivistë, por u përshkallëzuan pas incidentit në Portonovë, ku një protestues u tërhoq me forcë nga punonjës të sigurisë private.
Të mërkurën, protesta para Kryeministrisë u shoqërua me përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit.