
Një efektiv policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për arrestimin e një personi të kërkuar në Maliq, në juglindje të Shqipërisë.
Policia tha se ngjarja ndodhi në zonën malore të Lozhanit, ku forcat e rendit kishin lokalizuar një 43-vjeçar të dënuar për vepra të lidhura me narkotikët.
Sipas autoriteteve, i kërkuari hapi zjarr ndaj policisë pasi nuk iu bind thirrjeve për t’u dorëzuar.
Efektivi i vrarë është identifikuar si Enea Mekolli, pjesë e forcave “Shqiponja” në Korçë.
Një tjetër polic mbeti i plagosur dhe pritet të transportohet drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Policia tha se 43-vjeçari u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe më pas u arrestua.
Kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllime për familjen e efektivit të vrarë dhe kërkoi ndëshkim maksimal për të arrestuarin.
Hetimet për ngjarjen vijojnë.