
Kryeministri Edi Rama tha se projekti në Zvërnec do të realizohet dhe se investimi prej 4 miliardë eurosh nuk përfshin shitje të tokës publike.
Në një intervistë për “Al Jazeera”, Rama tha se projekti është “bekim për vendin” dhe se investimi ka peshë të madhe për ekonominë shqiptare.
Ai hodhi poshtë pretendimet se qeveria po shet tokë publike për projektin.
Sipas Ramës, investimi do të bëhet në pronë private dhe bazohet në një marrëveshje mes palëve private.
“Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep duke e shitur vendin. Është pronë private”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se qeveria shqiptare nuk është palë në marrëveshjen private, por e sheh projektin si mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik.