
Kryeministri Edi Rama tha se qeveria do të ecë përpara me projektin turistik në Zvërnec, pavarësisht protestave dhe kundërshtimeve mjedisore.
Në një intervistë për Associated Press, Rama tha se nuk është vënë asnjëherë në diskutim nëse projekti do të realizohet.
Projekti pritet të zhvillohet nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, dhe përfshin hotele, apartamente, vila dhe një marinë jahtesh.
Rama tha se investimi prej 4 miliardë eurosh do ta vendoste Shqipërinë në tregun e turizmit luksoz.
Ai hodhi poshtë pretendimet se qeveria po shet tokë publike, duke thënë se projekti është në pronë private dhe bazohet në marrëveshje mes palëve private.
Kryeministri pranoi se vlerësimi formal i ndikimit në mjedis nuk ka nisur ende, pasi projekti është ende në fazë planifikimi.
Megjithatë, në zonë ka nisur pastrimi i terrenit, çka ka shkaktuar kundërshtime nga banorë dhe organizata mjedisore.
Që nga fundi i majit, protestues janë mbledhur çdo ditë para Kryeministrisë kundër projektit.
SPAK ka hapur një hetim për projektin, ndërsa qeveria thotë se toka është private.
Projekti përfshin zhvillime në zonën e Lagunës së Nartës dhe në ishullin e Sazanit.
Rama tha se kritikat janë ndikuar nga dezinformimi dhe nga “gjysmë të vërteta”, por shtoi se nuk po akuzonte protestuesit se veprojnë si agjentë të huaj.