
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është më një aspiratë e largët, por një domosdoshmëri strategjike për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës.
Hoxha foli në Konferencën për Mbështetjen e BE-së për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Gjykata Evropiane e Audituesve.
Në një postim në X, ai tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës janë të pandashme.
Sipas tij, gjeografia, interesat dhe vlerat e përbashkëta e bëjnë zgjerimin të domosdoshëm.
Hoxha tha se për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është projekt kombëtar dhe udhërrëfyes për reformat dhe politikën e jashtme.
Ai vlerësoi Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke thënë se ky instrument duhet të shpërblejë rezultatet konkrete dhe jo premtimet.
Sipas Hoxhës, Shqipëria ka përfituar deri tani 212.8 milionë euro përmes zbatimit të reformave, shumën më të lartë në Ballkanin Perëndimor.
Ministri kërkoi më shumë qartësi mes reformave të Planit të Rritjes dhe procesit të anëtarësimit në BE.
Ai tha se vendet kandidate duhet të vijojnë reformat, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të njohë dhe të shpërblejë progresin real.