
Kryeministri Edi Rama tha në një intervistë për Deutsche Welle se dorëheqja nuk është opsion, pavarësisht protestave që vijojnë në Shqipëri.
Rama tha se është mandatuar bashkë me Partinë Socialiste nga 868 mijë votues për të çuar përpara mbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai tha se protesta është pjesë e jetës demokratike dhe se nuk sheh krizë besimi në vend.
Sipas Ramës, qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, ndërsa qeveria ka detyrë të dëgjojë dhe të lexojë mesazhet që vijnë prej tyre.
Në intervistë, Rama u pyet edhe për projektin e parashikuar në Zvërnec.
Ai tha se projekti është ende në zhvillim dhe se qëllimi i tij është të sjellë investime të huaja direkte në Shqipëri.
Kryeministri hodhi poshtë pretendimet për privatizim të hapësirës publike, duke i cilësuar ato të pavërteta.
Ai tha se ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura nuk cenojnë standardet evropiane dhe se çdo gjë do të verifikohet gjatë procesit të negociatave me BE-në.
Rama foli edhe për përdorimin e inteligjencës artificiale në qeverisje, duke thënë se ajo mund të ndihmojë administratën me më shumë informacion dhe këshillim.
Ai paralajmëroi gjithashtu për ndikimin e algoritmeve në debatin publik, duke thënë se rrjetet sociale shpesh amplifikojnë zemërimin dhe gënjeshtrat.
I pyetur nëse do të protestonte vetë për shëndetësi, arsim apo administratë më të mirë po të mos ishte kryeministër, Rama tha se nuk do të dilte në protestë nëse do të bazohej te faktet.
Ai pranoi se shëndetësia, arsimi dhe administrata kanë probleme, por tha se ato duhet të zgjidhen përmes mandatit të marrë në zgjedhje.