
Bashkimi Europian mund të pranojë anëtarë të rinj përpara përfundimit të mandatit të Komisionit aktual, deklaroi të mërkurën Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Duke folur në takimin joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Wicklow të Irlandës, Kos tha se Unioni duhet të përgatitet të funksionojë dhe të marrë vendime edhe me 28, 29 ose 30 vende anëtare.
Ajo veçoi Malin e Zi dhe Shqipërinë si vende që po përparojnë në procesin e integrimit, ndërsa tha se lëvizje ka edhe nga vende të tjera kandidate.
“Për mua pyetja kryesore është si mund ta përgatisim BE-në që të jetë e fortë dhe vendimtare edhe kur të kemi 28, 29 apo 30 shtete anëtare”, tha Kos.
Komisionerja theksoi se zgjerimi i mundshëm e bën të domosdoshëm edhe reformimin e mënyrës se si BE-ja merr vendime.