
Në Palasë parashikohet ndërtimi i një resorti luksoz, por një pjesë e tokës ku lidhet investimi dyshohet se figuron në dokumentet e pronësisë së dy biznesmenëve të ndryshëm. Mosmarrëveshja përfundoi të enjten me një përplasje të armatosur në Radhimë, pesë të arrestuar dhe gjashtë persona në kërkim.
Sipas raportimeve në media, konflikti mes Luan Muçës dhe Vasil Bedinajt lidhet me një parcelë në Palasë. Delta Group e Muçës rezulton investitor strategjik për zhvillimin e një resorti në zonë, ndërsa Bedinaj raportohet se ka pretendime pronësie mbi një pjesë të së njëjtës sipërfaqe.
Raportimet ngrenë dyshime se një parcelë është regjistruar si pjesë e pronave të të dy biznesmenëve. Muça raportohet se e kishte blerë tokën fillimisht mbi bazën e një AMTP-je dhe më pas kishte negociuar edhe me banorë që pretendonin pronësinë. Bedinaj bleu më vonë një sipërfaqe pranë saj, ku dyshohet se ndodhet parcela e mbivendosur.
Përplasja u zhvendos të enjten në hotelin e Bedinajt në Radhimë. Sipas Policisë, një grup personash të armatosur e kërcënoi biznesmenin dhe i kërkoi 5 milionë euro dhe largimin nga Shqipëria brenda 48 orësh.
Mbrojtja e Muçës e ka mohuar pretendimin për gjobëvënie dhe thotë se takimi ishte organizuar për të diskutuar mosmarrëveshjen mbi dokumentet e pronësisë së investimit.
Pesë persona janë arrestuar dhe gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim. Policia nuk ka konfirmuar ende zyrtarisht se konflikti i pronësisë në Palasë ishte shkaku i përplasjes.