
Vendet e BE-së, Norvegjia dhe Zvicra morën 332 mijë kërkesa në gjashtë muajt e parë të vitit.
Kërkesat për azil në Europë ranë me 17 për qind në gjysmën e parë të vitit 2026, duke zbritur në nivelin më të ulët për këtë periudhë që nga viti 2021.
Vendet e Bashkimit Europian, së bashku me Norvegjinë dhe Zvicrën, morën rreth 332 mijë kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare nga janari deri në qershor, nga rreth 399 mijë një vit më parë.
Agjencia e BE-së për Azilin e lidh rënien ndër të tjera me zhvillimet politike në Siri dhe me bashkëpunimin e BE-së me vendet e origjinës dhe tranzitit. Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme nuk ka sjellë deri tani rritje të kërkesave për azil në Europë.
Afganët paraqitën numrin më të madh të kërkesave, rreth 39 mijë, të ndjekur nga venezuelianët me 33 mijë dhe bangladeshasit me 20 mijë.
Franca mori më shumë kërkesa, rreth 69 mijë. Pas saj renditen Italia me 66 mijë dhe Spanja e Gjermania me nga 55 mijë.
Rënia vazhdon një prirje të nisur në fund të vitit 2024. Në vitin 2025, kërkesat për azil kishin rënë me 19 për qind krahasuar me një vit më parë.