PRISHTINË, 9 nëntor – Tridhjetë e pesë pacientë të Klinikës së Onkologjisë në Kosovë kanë dy muaj pa marrë terapinë Avastin, megjithëse ministri i Shëndetësisë kishte premtuar furnizim të shpejtë.
Ilaçi përdoret për trajtimin e disa llojeve të kancerit. Pacientët që e blejnë vetë duhet të paguajnë deri në 1 mijë euro.
Më 2 tetor, ministri Arben Vitia deklaroi se furnizimi ishte në përfundim të procedurave. Por terapia ende mungon.
Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit pritet të shqyrtojë sot caktimin e një interpelance me ministrin për mungesën e barnave dhe vdekjen e një pacienteje me kancer gjiri, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi.