30.10.2026
Politike

Dashamir Shehi jep dorëheqjen nga drejtimi i koalicionit Djathtas për Zhvillim

Dashamir Shehi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i koalicionit Djathtas për Zhvillim pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e 11 majit, duke deklaruar se mban përgjegjësi për humbjen.

Dashamir Shehi ka njoftuar largimin e tij nga drejtimi i koalicionit Djathtas për Zhvillim, pas performancës së dobët në zgjedhjet e 11 majit, ku koalicioni mori vetëm 5530 vota në shkallë vendi.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur të mërkurën në Tiranë, Shehi u shpreh se “mban përgjegjësi për humbjen” dhe se u tërheq për t’i hapur rrugë alternativave të reja brenda spektrit të djathtë.

“Zgjedhjet i humbëm, prandaj gabimet janë të miat. Largohem për t’u dhënë të tjerëve mundësinë për të çuar përpara një projekt të ri politik,” tha Shehi.

Ai e cilësoi procesin zgjedhor si një “farsë mes PD dhe PS”, duke kritikuar listat e mbyllura, mungesën e votës së diasporës dhe problemet me përfaqësimin në komisionet zgjedhore. Shehi kërkoi ndryshime kushtetuese, një reformë të re territoriale dhe zgjedhore, duke paralajmëruar se pa to, situata do të mbetet e pandryshuar.

Megjithatë, lideri politik përmendi edhe një aspekt pozitiv të procesit: përfshirjen e partive të reja që, sipas tij, “çan rrethimin” dhe mund të sjellin një sinergji politike të re në të djathtën shqiptare.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.