29.10.2026
Politike

Shqipëria thekson rolin e saj në sigurinë evropiane, Spiropali takon Kallas në Bruksel

Në klimën e tensioneve rajonale dhe luftës në Ukrainë, Shqipëria po përforcon angazhimin e saj në politikën e sigurisë evropiane.

Gjatë takimit në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, tha se vendi mbetet “kontribuues i vërtetë i sigurisë rajonale dhe partner i besueshëm e proaktiv i BE-së”.

Në një postim në platformën X, Spiropali shtoi se Shqipëria është “plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, përfshirë mbështetjen “e pakushtëzuar për Ukrainën”.

Ajo falënderoi Kallas për mbështetjen financiare që BE-ja i ofron Shqipërisë, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, dhe theksoi se “integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë Kosovën, është një investim strategjik në të ardhmen tonë të përbashkët”.

Në kuadër të vizitës në Bruksel, Spiropali u takua edhe me komisaren evropiane për zgjerim, Marta Kos, me të cilën diskutoi procesin e anëtarësimit dhe mbështetjen për reformat në Shqipëri.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.