29.10.2026
Politike

Raporti i BE-së: Shqipëria, ndër më të përparuara në procesin e anëtarësimit

Bashkimi Europian vlerëson se procesi i zgjerimit në Ballkanin Perëndimor po ecën me ritmin më të shpejtë në 15 vitet e fundit, me Shqipërinë ndër vendet më përparuara drejt anëtarësimit.

Në draft-raportin e përgatitur nga Komisioni Europian thuhet se që nga fillimi i vitit 2024 janë mbajtur 11 konferenca ndërqeveritare, pesë prej tyre me Shqipërinë. Vendi është vlerësuar për “përkushtim të madh në reforma” dhe për “përfundimin e procesit të vettingut”.

Raporti përmend sukseset e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, bashkëpunimin ndërkombëtar në hetime financiare dhe përpjekjet për përputhje me politikat e jashtme të BE-së. Tirana ka shprehur synimin për t’i mbyllur të gjitha negociatat deri në vitin 2027.

Mali i Zi përmendet si vendi me përparimin më të madh në hapjen dhe mbylljen e kapitujve të anëtarësimit, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Bosnja-Hercegovina lavdërohen për reformat në drejtësi dhe pavarësinë e institucioneve.

Kosova vlerësohet për përafrimin e politikës së jashtme me atë të BE-së, por raporti thekson se progresi është penguar nga ngërçi politik pas zgjedhjeve të fundit. Komisioni sinjalizon nisjen e heqjes graduale të masave ndëshkuese ndaj saj.

Serbia, ndërkohë, kritikohet për mospërshtatje të politikës së jashtme me BE-në, retorikën kundër bllokut dhe mungesën e reformave në drejtësi.

Raporti nënvizon se zgjerimi është “mjeti kryesor gjeopolitik i BE-së” për të forcuar sigurinë dhe demokracinë në kontinent.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.