
Nga Zenel Çeliku

Sot mbarë bota po vëren me shumë vëmendje zhvillimet në Lindjen e Mesme, por edhe në Ballkanin Perëndimor (BP), ku shikojmë luftën diplomatike dhe ushtarake ndërmjet tre luanëve globalë – Amerikës, Rusisë dhe Kinës. Është realitet se sot bota ndodhet në një pikë kthese historike që do të përcaktojë kryesisht të ardhmen politike, ekonomike dhe të sigurisë globale në këtë shekull.
Kemi parë se në dy dekadat e fundit janë bërë transformime të thella të sistemit ndërkombëtar, nga kriza financiare globale, përmes revolucionit teknologjik dhe ndryshimeve energjetike, deri te konfliktet gjeopolitike, të cilat kanë rihapur çështjen e ekuilibrit të pushtetit midis tre fuqive të mëdha botërore – SHBA-ve, Rusisë dhe Kinës, por pa lënë mënjanë edhe ndikimin e Bashkimit Evropian, veçanërisht në BP e deri në Lindjen e Mesme.
Konfliktet që po zhvillohen sot – nga lufta në Ukrainë deri te lufta dhe paqëndrueshmëria e frikshme në Lindjen e Mesme – nuk mund të shihen më si konflikte rajonale të izoluara. Ato janë pjesë e një transformimi shumë më të gjerë global, në të cilin po ripërcaktohen aleancat politike, flukset tregtare, drejtimet e energjisë dhe strategjitë e sigurisë globale.
Le të fokusohemi tek transformimi i fuqive globale: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina dhe Bashkimi Evropian, gjë të cilën mund ta quajmë “lufta për një rend të ri gjeopolitik global”.
Amerika / SHBA-të mbeten shtylla qendrore e sistemit ekzistues ndërkombëtar. Forca e tyre rrjedh nga një kombinim i aftësive ushtarake, dominimit teknologjik, një rrjeti të gjerë aleancash politike dhe një sistemi financiar në të cilin dollari amerikan luan një rol kyç global. Roli i Amerikës në këtë kontekst mund të shihet si një përpjekje për të ripërcaktuar strategjinë amerikane në botë. Politikat e saj të nacionalizmit ekonomik, rishqyrtimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe këmbëngulja për rregulla të reja tregtare pasqyrojnë një përpjekje për të përshtatur pozicionin global të Amerikës me realitetet e reja gjeopolitike. Strategjia e SHBA-ve thekson rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe pragmatizmit ekonomik, i cili në shumë raste përfshin ripërcaktimin e marrëdhënieve me aleatët, si dhe konkurrentët globalë.
Rusia / Në të njëjtën kohë, lufta në Ukrainë ka treguar se sa të thella janë ndryshimet në rendin modern ndërkombëtar. Si pasojë e një lufte të gjatë, Rusia përballet me sfida serioze politike, ekonomike dhe strategjike. Konflikti i zgjatur po i shteron burimet e saj dhe po kufizon aftësinë e saj për të ushtruar ndikim më të gjerë global. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që Rusia po humbet rëndësinë e saj gjeopolitike në botë. Përkundrazi, ka të ngjarë të mbetet një nga aktorët kryesorë globalë, veçanërisht në hapësirën euroaziatike, por roli i saj në marrëdhëniet ndërkombëtare ka të ngjarë të ripërcaktohet në dekadat e ardhshme. Burimet e energjisë, aftësitë ushtarake dhe pozicioni strategjik gjeografik vazhdojnë t’i sigurojnë Rusisë një pozicion të rëndësishëm në politikën globale, megjithëse sistemi ndërkombëtar po lëviz gjithnjë e më shumë drejt një modeli shumëpolar të dominuar nga disa qendra kryesore të pushtetit.
Në një kohë shumëdimensionale konfliktesh, Rusia ka treguar se ka shumë interes për të vendosur sa më shumë ndikim në vendet e BP; ky është fakt i padiskutueshëm. Në këtë strategji, Rusia ka gjetur baza ndikimi në Serbi, në Bosnje dhe Hercegovinë dhe pjesërisht në Malin e Zi. Rusisë i intereson që BP ta përdorë si mjet destabiliteti për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë dhe për të qenë faktor i rëndësishëm në këtë rajon, të cilin Rusia herë pas here e përdor sipas interesave të saj. Në këtë kontekst, Serbia zë një vend të veçantë si aleate e Rusisë në kuadër më të gjerë gjeopolitik. Pikërisht për këtë arsye, BE duhet të mos ngadalësojë anëtarësimin e vendeve të BP, në mënyrë që Serbia, Bosnje dhe Hercegovina dhe Mali i Zi të shkëputen përfundimisht nga ndikimi rus, por edhe nga rreziku i ndikimit kinez.
Interesant është qëndrimi rus në konfliktin shumë të rrezikshëm midis Amerikës dhe Izraelit me Iranin. Si aleat i hershëm i Rusisë, ka informacione se Irani, në mënyrë të fshehtë, ndihmohet nga “aleati” i tij – Rusia, por në shtresë të thellë.
Kina / Nga ana tjetër, shikojmë se Kina në kohët e fundit ka treguar se ndikimi global mund të ndërtohet kryesisht përmes bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturës dhe zhvillimit teknologjik. Në vend të ndërhyrjeve ushtarake, modeli i Kinës për zgjerimin e ndikimit në Lindjen e Mesme dhe në BP mbështetet në investime, rrjete tregtare dhe instrumente financiare. Një vend të veçantë në këtë strategji të Kinës zë iniciativa globale për një rrugë që lidh Azinë, Afrikën, Evropën dhe deri në Ballkan, rajon të cilin Kina e shikon me shumë interes për të investuar në Ballkanin Perëndimor (BP).
Kina, përmes një rrjeti projektesh infrastrukturore, korridoreve të energjisë dhe qendrave logjistike, po përpiqet të realizojë ndikimin e saj në BP. Këto projekte nuk janë vetëm ekonomike, por edhe gjeopolitike, pasi i lejojnë Kinës të krijojë lidhje zhvillimi dhe politike afatgjata në këto dy rajone (Lindjen e Mesme dhe BP). Ky është një model që bazohet në lidhjen ekonomike, zhvillimin e infrastrukturës dhe investimet afatgjata, në vend të ndërhyrjes ushtarake.
Bashkimi Evropian (BE) / Ballkani Perëndimor (BP) dhe zhvillimet politike-strategjike në këtë rajon po vrojtohen me shumë përkushtim nga SHBA-të dhe BE. Konteksti i ri gjeopolitik në botën moderne shumëpolare po shihet dhe menaxhohet me shumë kujdes dhe vëmendje nga BE, e cila po luan një rol të veçantë dhe historik për BP. Si një nga projektet më të mëdha ekonomike dhe politike në historinë moderne, BE-ja ka potencialin të jetë një faktor kyç në stabilitetin e këtij rajoni shumë delikat në momentet aktuale.
Zhvillimi dhe ekuilibri politik në BP, pa diskutim, kërkon supervizim shumë të kujdesshëm nga BE-ja dhe SHBA-ja, sepse ky rajon rrezikohet nga ndikimi rus dhe kinez. Megjithatë, për të ruajtur ndikimin e saj global, Evropa duhet dhe ka mundësi të gjejë energji të reja strategjike dhe një vizion më të qartë gjeopolitik për anëtarësimin në BE të vendeve të BP dhe më gjerë. Për situatën gjeopolitike të BP, BE-ja duhet të jetë më aktive për zgjerimin me vendet e këtij rajoni; ndryshe ndikimi rus dhe ai kinez e rrezikojnë këtë rajon.
Për ironi të kësaj strategjie (të anëtarësimit të vendeve të BP), ky proces realisht po zvarritet nga burokraci të panevojshme nga strukturat e BE-së. Zgjerimi i BE-së me vendet e BP nuk duhet të shihet si një detyrim në një kohë kur situatat globale janë të trazuara, por si një investim strategjik në stabilitetin e kontinentit evropian. Integrimi i vendeve të BP mund t’i japë një vrull të ri zhvillimi BE-së, të zgjerojë tregun e saj, të forcojë stabilitetin politik dhe të kontribuojë në ripozicionimin e saj në marrëdhëniet gjeopolitike moderne.
Një Evropë e bashkuar duhet të mbetet simbol i një kontinenti paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi. Pas shumë luftërash dhe konfliktesh, projekti SHBA & Evropë ka treguar se është e mundur të ndërtohet një bashkësi shtetesh që zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut, institucioneve dhe vlerave të përbashkëta. Një model i tillë mund të shërbejë si frymëzim për pjesët e tjera të botës.
Një politikë bashkëpunimi e fuqishme mes Amerikës dhe Evropës u lejon vendeve të BP të ndjekin një strategji të ekuilibruar dhe pragmatiste të politikës së jashtme dhe fqinjësisë së mirë. Një qasje e tillë do të kontribuojë në stabilitetin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe më tej.
Lindja e Mesme / Ky rajon shihet me shqetësim si një rajon shumë i trazuar dhe i rrezikshëm globalisht, ku qëndrimet e Iranit shpesh konsiderohen ekstremiste. Amerika dhe Izraeli janë përballë Iranit dhe përplasjet e ndërmjetme janë të vazhdueshme. Kjo situatë shqetëson mbarë botën, pasi Irani po zgjeron konfliktin edhe në vendet e rajonit.
Në të njëjtën kohë, rëndësia gjeopolitike e Lindjes së Mesme mbetet shumë e lartë. Burimet e energjisë, korridoret e transportit dhe tensionet politike e bëjnë këtë rajon një nga fushat kryesore të strategjisë globale të fuqive të mëdha. Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë sinjale për dialog, duke i lënë hapësirë Iranit për reflektim dhe negociata paqësore. Nga ana tjetër, Pakistani ka shprehur gatishmëri për të ndërmjetësuar mes palëve.
Roli i Iranit në ekuilibrin rajonal, në rrjedhat e energjisë dhe në çështjet e sigurisë mund të ndikojë ndjeshëm në stabilitetin global. Kontrolli i korridoreve të energjisë dhe rrjeteve logjistike po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në konkurrencën ndërkombëtare.
Nëse shohim trendet afatgjata, ka shumë gjasa që bota të formësohet nga disa qendra kryesore të fuqisë. SHBA-të dhe Kina pritet të kenë ndikimin më të madh, ndërsa BE, Rusia dhe fuqitë e tjera rajonale do të luajnë rol balancues.
Në një botë të tillë, stabiliteti nuk do të varet vetëm nga fuqia e shteteve, por nga aftësia për të gjetur një ekuilibër midis konkurrencës dhe bashkëpunimit. Fuqitë e mëdha ndërtojnë historinë, por stabiliteti ruhet nga ekuilibri midis tyre.
Pikërisht ky ekuilibër, së bashku me integrimin rajonal dhe zhvillimet ekonomike globale, mbetet çelësi për paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme, në Evropë dhe më gjerë.