Nga Zenel Çeliku

Pas Luftës së Dytë Botërore, përgjatë dekadave të tëra, Evropa ka ndërtuar identitetin e saj mbi parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe kornizës politike perëndimore, e bindur se vetëm standardet ndërkombëtare mund të formësojnë marrëdhëniet mes shteteve. Ndërsa kjo është një strategji legjitime, sfidat bashkëkohore tregojnë qartë se idealizmi në vetvete nuk garanton sigurinë kontinentale; përkundrazi, në disa raste e cënon atë.
Në lindje të Evropës shtrihen shtete të qeverisura nga modele të ndryshme politike, dhe izolimi i zgjatur shpesh thellon përçarjet, në vend që të nxisë stabilitetin. Rivalitetet historike mes Gjermanisë dhe Francës i kanë lënë vendin lidhjeve konstruktive midis këtyre dy fuqive evropiane, të cilat dikur ishin kundërshtarë strategjikë. Sot ato qëndrojnë si gurë themeli të Bashkimit Evropian (BE). Ky fakt tregon se siguria e Evropës kërkon një qasje pragmatike, në të cilën konfliktet e së kaluarës shndërrohen në bazë për marrëdhënie të qëndrueshme dhe funksionale, në vend që të mbeten barriera të pakapërcyeshme.
Strategjia aktuale për sigurinë evropiane kërkon bashkëpunim të thelluar ndërmjet shteteve kryesore evropiane për të përballuar sfida si lufta në Ukrainë dhe konflikti i rrezikshëm në Lindjen e Mesme. Kjo përfshin forcimin e autonomisë mbrojtëse të Evropës, por, pa dyshim, kërkon edhe partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si fuqia më e madhe ushtarake në botë.
Përveç këtij bashkëpunimi, duhet të angazhohen në mënyrë aktive edhe shtetet e tjera të BE-së, si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë rëndësi strategjike, stabilitet institucional dhe kapacitet për vendimmarrje të shpejtë. Në këtë kontekst, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shfaqen si partnerë kyç, integrimi i të cilëve në një kornizë më të gjerë sigurie do të forconte qëndrueshmërinë e Evropës dhe do të mundësonte krijimin e zonave funksionale të sigurisë.
Përballë situatave aktuale në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, kërkohet një qasje pragmatike nga të gjitha shtetet e BE-së, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ende ekzistojnë sfida të konsiderueshme. Ky koordinim i ngushtë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor kërkon mirëkuptim strategjik dhe komunikim të vazhdueshëm në kohë krize, mekanizma të qarta sigurie, stimuj ekonomikë dhe politikë për stabilitet, si dhe integrimin e këtyre vendeve në një kuadër të përbashkët sigurie.
Ndërkohë që sot bota përballet me luftën në Ukrainë dhe me një konflikt ushtarak shumë të rrezikshëm në Lindjen e Mesme, Evropa duhet të tregojë kujdes të veçantë edhe ndaj zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor. Problemet në Bosnje dhe Hercegovinë, në Serbi, si dhe situata në Kosovë, ku procesi i zgjedhjes së presidentit të ri ka çuar në zgjedhje të përsëritura të parakohshme, kërkojnë vëmendje të shtuar. Në këtë kuadër, BE-ja duhet të tregojë fleksibilitet dhe pragmatizëm, përfshirë edhe mundësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit të këtij rajoni, në mënyrë që të shmanget një tjetër krizë e madhe rajonale.
Një qasje e tillë nuk i komprometon dhe nuk i zbeh vlerat evropiane; përkundrazi, e bën Evropën më homogjene, duke garantuar që siguria kontinentale të bëhet më e qëndrueshme dhe më e fortë se kurrë.
Sot, më shumë se kurrë, Evropa duhet të gjejë një ekuilibër midis parimeve të saj dhe realiteteve gjeopolitike. Vetëm duke kombinuar vizionin me pragmatizmin, Evropa mund të ndërtojë një arkitekturë sigurie të qëndrueshme, elastike dhe koherente, të aftë për t’u përballur me sfidat dhe rreziqet e reja me të cilat përballet.