Berisha: PD është “shpresa e vetme”, policia shpërndan turmën me gaz.

Protesta e opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë.
Pas fjalimit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, një grup protestuesish hodhën molotov dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe vendosi kordon sigurie.
Disa persona u ndaluan, ndërsa një pjesë e protestuesve u zhvendosën drejt Kuvendit.
Gjatë ndërhyrjes, disa protestues dhe deputetë të opozitës patën shqetësime shëndetësore për shkak të gazit. Një prej tyre u dërgua me ambulancë.
Berisha tha në fjalimin e tij se Partia Demokratike është “shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë” dhe akuzoi qeverinë për presion ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Protesta është e shtata që opozita organizon në shkallë kombëtare, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe zgjedhje të reja.