29.10.2026
Politike

Berisha nga Astiri: Më 8 maj të bashkohemi në protestë

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi dje një takim me qytetarë në zonën e Astirit, në Tiranë, ku bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e 8 majit.

Berisha vlerësoi qëndresën e banorëve të Astirit në protestat e viteve të mëparshme, duke i cilësuar ata “simbol frymëzimi” për qytetarët.

“Ju qëndruat të pamposhtur në një kohë shumë të vështirë. Jeni frymëzim i qëndresës qytetare dhe meritoni nderimin më të madh nga qytetarët e Tiranës”, tha Berisha.

Kreu i PD-së adresoi kritika ndaj qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, ndërsa tha se opozita ndodhet në një moment vendimtar të betejës së saj politike.

“Qëndresa në opozitë është mision. Demokratët nuk u tërhoqën. Kemi arritur shumë dhe jemi në kilometrin e fundit”, u shpreh ai.

Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e 8 majit në Tiranë, të cilën e cilësoi si protestë paqësore për dinjitetin e qytetarëve dhe të vendit.

“8 maji është dita jonë. Të gjithë të ngrihemi në protestën tonë paqësore, për dinjitetin tonë, të kombit dhe të vendit”, tha Berisha.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.