
Ministria e Drejtësisë thotë se besimi i qytetarëve te gjykatat është dyfishuar krahasuar me vitin 2020, por pranon se kostoja e drejtësisë mbetet një nga problemet kryesore.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria, të bazuara në Anketën Rajonale të Drejtësisë 2025 të Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian, besimi te gjykatat është rritur nga 26% në 53%.
Ministria thotë se është rritur edhe perceptimi për pavarësinë institucionale, me 30%, ndërsa qytetarët që e vlerësojnë pozitivisht reformën në drejtësi janë shtuar nga 34% në 56%.
Në të njëjtën kohë, perceptimi negativ për reformën ka rënë nga 38% në 17%. Sipas Ministrisë, ulja e korrupsionit të perceptuar shihet si një nga arritjet kryesore të periudhës.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, tha se sfida kryesore mbetet kostoja e sistemit. Sipas të dhënave, 72% e qytetarëve nuk e konsiderojnë drejtësinë financiarisht të përballueshme.
“Drejtësia që kushton shumë nuk është drejtësi për të gjithë”, tha Gogu, duke shtuar se të dhënat do të përdoren si udhërrëfyes për reformat e mëtejshme.
Ministria njoftoi tre masa: zgjerimin e ndihmës juridike falas, digjitalizimin e plotë të sistemit të menaxhimit të çështjeve deri në dhjetor 2027 dhe shtimin e kapaciteteve njerëzore në sistem.
Sipas Ministrisë, këtë vit janë miratuar 100 vende për staf administrativ dhe 35 kuota për ndihmës magjistratë.
Anketa përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përdoret si një nga instrumentet e monitorimit të drejtësisë në kuadër të procesit të integrimit evropian.