
Këtë të mërkurë, më 6 maj, zhvillohen në Tiranë homazhet në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.
Arkëmorti pritet të mbërrijë në orën 09:00 në sheshin “Skënderbej”, për t’u vendosur më pas në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Homazhet publike nisin në orën 09:30, ndërsa në orën 12:00 do të zhvillohen homazhet shtetërore. Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit është parashikuar në orën 12:30, me protokoll shtetëror.
Në orën 13:00, kortezhi funeral do të niset drejt varrezave të Sharrës, ku do të bëhet edhe varrimi.
Në ceremoninë mortore pritet të mbajnë fjalë i biri, Arben Pëllumbi, dhe Namik Dokle, një nga miqtë e afërt të ish-kryetarit të Kuvendit.
Servet Pëllumbi ishte një nga figurat e njohura të politikës shqiptare të tranzicionit. I njohur si “Profesori” në qarqet socialiste, ai u zgjodh deputet në parlamentin e parë pluralist dhe mori pjesë në transformimin e PPSH-së në Partinë Socialiste.
Pëllumbi drejtoi Kuvendin e Shqipërisë në vitet 2002-2005. Pas tërheqjes nga politika aktive, ai vijoi angazhimin publik përmes shkrimeve dhe analizave mbi demokracinë dhe tranzicionin shqiptar.