
Kryeministri Edi Rama e lidhi çeljen e fazës mbyllëse të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE me 180-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Rama e quajti këtë përkim një “mister të gëzueshëm”, duke iu referuar rolit të Naim Frashërit në formimin e vetëdijes kombëtare shqiptare.
Kryeministri tha se Shqipëria synon ta mbyllë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian në vitin 2030.
Sipas tij, ky vit do të përkojë edhe me 130-vjetorin e vdekjes së Naim Frashërit, të cilin Rama tha se synon ta shpallë si “Viti Europian i Naimit”.
Më 26 maj, në Bruksel, pritet të mbahet Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian.
Kjo konferencë hap rrugën që Shqipëria të hyjë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësim.
Sipas njoftimeve zyrtare, vendimi lidhet me progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit, përfshirë reformën në drejtësi, funksionimin e institucioneve demokratike, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.