29.10.2026
Politike

Shqipëria dhe BE mbajnë sot konferencën e 8-të ndërqeveritare

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbajnë sot në Bruksel Konferencën e 8-të Ndërqeveritare, një takim që pritet të përcaktojë hapat e radhës për grupkapitullin “Themeloret”.

Konferenca pritet të nisë në orën 19:30 dhe delegacioni shqiptar do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

Takimi vjen pas vlerësimit se Shqipëria ka përmbushur objektivat e ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”, një nga pjesët më të rëndësishme të negociatave me BE-në.

Në fokus do të jenë Kapitulli 23, që lidhet me gjyqësorin dhe të drejtat themelore, dhe Kapitulli 24, që përfshin drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.

Diskutimet do të prekin edhe funksionimin e institucioneve demokratike, reformën në administratën publike dhe kriteret ekonomike.

Konferenca pason hapjen e të gjithë grupkapitujve negociues mes Shqipërisë dhe BE-së, përfshirë “Tregun e Brendshëm”, “Agjendën e Gjelbër”, “Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin” dhe “Marrëdhëniet e Jashtme”.

Takimi i sotëm shihet si një hap i rëndësishëm për ritmin e mëtejshëm të negociatave të anëtarësimit.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.