
Kosova mund të humbasë fonde nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian nëse kriza politike dhe vonesat në reforma vazhdojnë, paralajmëron Parlamenti Evropian.
Në një rezolutë të miratuar me 412 vota pro, 174 kundër dhe 58 abstenime, Parlamenti Evropian tha se reformat dhe dialogu me Serbinë mbeten kusht për rrugën evropiane të Kosovës.
Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, në formë grantesh dhe kredish.
Rezoluta paralajmëron se vendi mund të humbasë pjesë të këtyre fondeve nëse nuk përmbush reformat e dakorduara.
Parlamenti Evropian shpreh gjithashtu shqetësim për krizën politike dhe polarizimin në Kosovë pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.
Rezoluta mbështet aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat dhe u kërkon shteteve anëtare të BE-së të mandatojnë Komisionin Evropian për përgatitjen e pyetësorit.
PE u bën thirrje pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën — Rumanisë, Greqisë, Sllovakisë, Spanjës dhe Qipros — të njohin pavarësinë e saj.
Kosovës dhe Serbisë u kërkohet të bashkëpunojnë për nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të sulmit në Banjskë në vitin 2023.
Dialogu i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë nuk është zhvilluar që nga shtatori 2023.