
Kryeministri Edi Rama ka përdorur shembullin e resortit Costa Navarino në Greqi për të mbrojtur projektin e planifikuar në Zvërnec, pas protestave kundër tij.
Në një postim në Facebook, Rama tha se edhe projekti në Messinia të Greqisë ishte kundërshtuar fillimisht me argumente për dëmtim të natyrës, biodiversitetit dhe burimeve ujore.
Sipas tij, Costa Navarino sot është kthyer në një nga destinacionet më të njohura turistike të Europës dhe ka sjellë mijëra vende pune e të ardhura për ekonominë greke.
Rama publikoi edhe të dhëna për performancën mjedisore të resortit, duke përmendur uljen e emetimeve të karbonit, riciklimin e ujit, reduktimin e plastikës njëpërdorimëshe dhe përdorimin e energjisë nga burime të rinovueshme.
Në fund të reagimit, kryeministri pyeti nëse Shqipëria mund ta ketë një projekt të ngjashëm në Zvërnec, duke u përgjigjur se po.
Reagimi vjen pas protestës së dytë të mbajtur të hënën para Kryeministrisë për projektin në bregdetin e Zvërnecit.
Protesta u zhvillua pas incidentit të së shtunës në Portonovë, ku një protestues u tërhoq me forcë nga punonjës të sigurisë private.
Rama tha më herët se projekti nuk prek zonën e mbrojtur dhe se ajo do të mbetet zonë e mbrojtur e kategorisë së pestë.