30.10.2026
Sociale

AGSH: Gazetarë dhe fotoreporterë u dhunuan gjatë protestës në Tiranë

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënoi dhunën dhe pengimin e gazetarëve gjatë protestës së 2 korrikut në Tiranë.

Sipas AGSH-së, gazetari i Syri TV, Fatjon Gjinaj, është dhunuar nga punonjës të Policisë së Shtetit dhe është penguar gjatë detyrës.

AGSH thotë se gjatë protestës janë cenuar fizikisht edhe fotoreporteri i ATSH-së, Andrin Hoxha, dhe fotoreporteri i NurPhoto, Vlasov Sulaj.

Sipas deklaratës, Hoxhës i është tentuar t’i merret aparati fotografik gjatë punës.

AGSH i kërkoi Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të nisë hetime për sjelljen e efektivëve të policisë ndaj gazetarëve.

Organizata kërkoi që çdo punonjës policie që ka ushtruar dhunë ose ka penguar median të mbajë përgjegjësi.

AGSH dënoi edhe sulmet e protestuesve ndaj gazetarëve.

Sipas saj, protestuesi Arbër Lleshaj ka cenuar fizikisht gazetarin e Top Channel, Muhamet Veliu.

Gazetarja e Top News, Kleida Muka, është penguar dhe cenuar fizikisht nga protestues të paidentifikuar gjatë një raportimi të drejtpërdrejtë.

AGSH përmendi edhe rastin e ekipit të Ora News, gazetarit Bekim Bici dhe operatorit Atilio Bleta, të cilët sipas televizionit janë penguar dhe cenuar fizikisht nga protestues.

Ora News ka deklaruar se personat e përfshirë ishin pjesëtarë të partisë “Shqipëria Bëhet”.

AGSH i kërkoi Policisë së Shtetit të identifikojë dhe të procedojë autorët e sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.

Organizata tha se siguria e gazetarëve dhe e drejta për të raportuar lirshëm duhet të garantohen gjatë protestave.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.