
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vuri në dyshim mbajtjen e Samitit të NATO-s në Tiranë vitin e ardhshëm, pavarësisht njoftimeve publike se Shqipëria do të jetë vendi pritës.
Berisha tha se prej dy muajsh në qarqe ndërkombëtare qarkullojnë dyshime për këtë çështje.
Ai nuk dha prova zyrtare, por iu referua mungesës së disa elementeve që, sipas tij, zakonisht shoqërojnë njoftimin e samitit të radhës.
“Në dokumentet e NATO-s kur përfundon një samit informohet samiti tjetër dhe kësaj here nuk ndodhi. Sikundër nuk ndodhi konferenca e veçantë për shtyp”, tha Berisha.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe kryeministri Edi Rama deklaruan më herët nga Ankaraja se Shqipëria do të presë samitin e ardhshëm të Aleancës.
Berisha sulmoi edhe paraqitjen e Ramës në samit, duke thënë se kryeministri u përpoq të tërhiqte vëmendje, por sipas tij dështoi.
Kreu demokrat akuzoi gjithashtu Ramën se ka urdhëruar ndalimin e hyrjes në Shqipëri të disa deputetëve nga Maqedonia e Veriut.
Sipas Berishës, kjo është një përpjekje për të fajësuar fqinjët për protestat që po zhvillohen në vend.
Ai akuzoi më tej kryeministrin për shkelje të Kushtetutës, duke pretenduar se fondi i emergjencës është vënë në dispozicion për koncertin e një reperi amerikan.