
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 për të ushtruar kontrollin vjetor parlamentar mbi dhjetë institucionet kryesore të pavarura të vendit, përfshirë autoritetin monetar dhe organin qendror të zgjedhjeve, për veprimtarinë e vitit 2025.
Axhenda zyrtare parashikon shqyrtimin dhe miratimin e projektrezolutave për performancën e Bankës së Shqipërisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe ILDKPKI-së. Në bllokun e agjencive rregullatore, parlamentarët do të kalojnë në sitë raportet vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), INSTAT-it dhe enteve të telekomunikacionit e medias (AKEP, AMA, RTSH), si dhe enteve rregullatore të energjisë e ujit (ERE, ERRU).
Rregullorja parlamentare parashikon deri në 120 minuta debat për secilën projektrezolutë, kohë e ndarë në mënyrë proporcionale mes grupeve parlamentare.
Seanca, e cila do të hapet me miratimin e procesverbaleve të seancave të 30 qershorit dhe 2 korrikut, do të përmbyllet me një seancë maratonë katërorëshe debatesh të lira, ku ligjvënësit do të adresojnë problematikat dhe çështjet e ngritura drejtpërdrejt nga zgjedhësit në zonat e tyre.